Presidenti Nishani shpreh shqetësimin për situatën e sotme në Kumanovë të Maqedonisë, duke i bërë thirrje palëve për ruajtje të qetësisë dhe vlerësim të marrëdhënieve ndëretnike

9 maj 2015

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shqetësim të madh situatën në Kumanovë dhe ndikimin e tyre në stabilitetin e vendit fqinj dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Kreu i Shtetit shpreh ngushëllimet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, që kanë humbur të dashurit e tyre në këto akte dhune, duke i dënuar ato me forcë. Presidenti Nishani i bën thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe ruajtjen e qetësisë si dhe thekson se, ushtrimi i dhunës nuk ndihmon qetësimin e situatës dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Presidenti i Republikës thekson gjithashtu se, të gjitha palët duhet të vlerësojnë me shumë kujdes marrëdhëniet ndëretnike dhe, në respekt të Marrëveshjes së Ohrit, të ndërmarrin hapat dhe veprimet e duhura për qetësimin e situatës, sqarimin e saj dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.