Deklarata e Presidentit Nishani gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Vujanović

23 mars 2015

I nderuar zoti President, i dashur Filip,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Së pari, dëshiroj edhe njëherë ta falenderoj Presidentin Vujanović për fjalët e mira, si dhe t’i shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë e miqësore që na ka krijuar, mua, bashkëshortes sime, si dhe delegacionit që më shoqëron në këtë vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Faleminderit i dashur Filip!

Për ne shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj por edhe një vend mik, me të cilin ndajmë vlera dhe sfida të përbashkëta.

Gjatë takimit të sotëm patëm mundësinë të bisedojmë e shkëmbejmë mendime në frymën e fqinjësisë së mirë që karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve tona,  për të gjitha çështjet dypalëshe me interes të ndërsjellë, por gjithashtu edhe për ato problematika që shqetësojnë vendet dhe rajonin tonë, si dhe sfidat e kërcënimet në nivel global.

Kam kënaqësinë të theksoj këtu se, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, përbëjnë një model fqinjësie shumë të mirë. Në kuadrin e këtyre marrëdhënieve i shpreha mikpritësit tim, në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderimet e sinqerta për ndihmën e dhënë në përballimin e përmbytjeve të kohëve të fundit në Jugun e Shqipërisë. Sigurisht, ashtu siç theksoi edhe Presidenti Vujanović thelbi i bisedimeve tona ishte nxitja e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht atij ekonomik, që është ende larg nivelit shumë të mirë të bashkëpunimin politik. Por për këtë do të duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve, në mënyrë që të evidentohen, vlerësohen dhe shfrytëzohen potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore.

Kuadri ligjor i bashkëpunimit që kemi në fuqi, na lejon të eksplorojmë mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, energjetikës, telekomunikacionit, turizmit, etj. Në këtë kontekst, e një rëndësie të veçantë ishte nënshkrimi së fundmi i marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

Por, niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimit të rajonit tonë në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal dhe konkurrencës, duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor dhe social të rajonit tonë.

Bashkëpunimi rajonal ishte një temë tjetër e rëndësishme në bashkëbisedimin tonë dhe me krenari konstatojmë se vendet tona, kanë dhënë e po japin një kontribut të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë.

Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë këtu edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në kontekstin e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrjes aktive të vendeve tona në organizatat dhe iniciativat rajonale, i shpreha edhe njëherë mikut tim Filip, dëshirën për ta parë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Tiranë, më 26 maj 2015, në mbyllje të Presidencës shqiptare të kësaj iniciative rajonale.

Me shumë interes ishte bashkëbisedimi për procesin e integrimit evropian të vendeve tona dhe anëtarësimi në NATO i Malit të Zi.

Lidhur me procesin e integrimit evropian, pata kënaqësinë që ta përgëzoj mikpritësin tim, Presidentin Vujanović, për ecurinë shumë të mirë të negociatave të anëtarësimit, si dhe të vlerësoj bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë proces, duke theksuar se modeli kroat dhe ai malazez, janë modele shumë të mira edhe për vendet e tjera të rajonit.

Ndërsa për bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s, i shpreha mikut tim Filip, se Shqipëria është një nga vendet anëtare të Aleancës që ka mbështetur dhe do të  mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë, pasi vlerësomë se Politika e Dyerve të Hapura të Aleancës është një proces me rëndësi jetike.

E garantova Presidentin Vujanović se Shqipëria beson se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të Aleancës dhe të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.

Një vend të veçantë në bisedën tonë zuri dhe interesi përbashkët për çështjet e paqes dhe sigurisë, si dhe u shpreh interesi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin bilateral dhe rajonal kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar. Të dy vendet tona po japin proporcionalisht kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në zona të nxehta të botës. Sot askush nuk është imun nga kërcënimet e terrorizmit të veshur me ngjyrime fetare dhe për këtë kërkohet veprime të përbashkëta dhe koordinim të agjencive të specializuara.

Gjithashtu, në bisedën tonë trajtuam edhe çështjet e pakicave kombëtare, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të dy vendet tona, si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie.

Dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Në këtë kontekst dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar ne Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucione publike.

Të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare.

Zgjidhja përfundimtare e statusit të  Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.

Po kështu nënvizoj se, në Shqipëri, jemi shumë të angazhuar për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë dhe pakicën malazeze.

Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgimin e identitetit historik e kulturor kombëtar.

Në mbyllje, e falënderoj edhe njëherë Presidentin e Malit të Zi, mikun tim Filip, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e garantoj se vullneti im për t’i nxitur dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet mes vendeve tona, nuk do të mungojë.

Faleminderit !