Deklaratë për shtyp e Institucionit të Presidentit të Republikës

12 shkurt 2015

Institucioni i Presidentit të Republikës denoncon sulmet politike dhe fyerjet vulgare të organizuara nga Kryeministri i vendit ndaj Kreut të Shtetit Shqiptar në aulën e Parlamentit shqiptar.

Prej gati dy vitesh, Presidenti i Republikës gjendet nën një fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë.

Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës është e paimagjinueshme në një vend normal.

Kjo, për një qëllim fare të thjeshtë.

Kryeministri nuk po mundet të marrë nën kontroll Institucionin e Presidentit të Republikës.

Shpifjet e ulëta dhe denigruese të urdhëruara nga Kryeministri  i vendit sot në aulën e Parlamentit si një hakmarrje ndaj qëndrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe dinjitetit të shtetit të shqiptarëve nuk do munden dot të nëpërkëmbin dhe asgjësojnë Institucionin e Kreut të Shtetit.

Dhuna nuk do triumfojë kurrë mbi dinjitetin e shtetit.

Autoritarizmi nuk do ta mundë dot lirinë dhe demokracinë të cilat shqiptarët i kanë fituar pas vuajtjesh dhe sakrificash të mëdha.

Presidenti i Republikës do vijojë të kërkojë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Institucionit, pavarësisht sjelljeve të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën, shtetin, kulturën, qytetarinë apo rrugën europiane ku shqiptarët duan të ecin.