Presidenti Nishani mban një fjalim në mbrëmjen e 16-të vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC)

21 shtator 2012-Nju Jork, SHBA

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së, Ferid Hoxha dhe pjesëtarë të delegacionit nga Shqipëria, në ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të pjesëmarrjes në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë në mbrëmjen e 16-të vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Në këtë mbrëmje gala merrte pjesë edhe delegacioni zyrtar nga Republika e Kosovës, i kryesuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Ahtifete Jahjaga e anëtarë të Qeverisë së Kosovës, Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Maqedonisë.

Të pranishëm në mbrëmjen e 16-të vjetore të NAAC ishin gjithashtu kongresmenët Engel dhe Grimmer, Ambasadori Wissner, Ambasadorja Di Carlo dhe Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker.

Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse ku vuri theksin në rolin e diasporës shqiptare të Amerikës dhe veçanërisht të NAAC-ut në promovimin e paqes dhe demokracisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, në formësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe rolin e shtetit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Zoti Philip Reeker u lexoi të pranishmëve mesazhin përshëndetës të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Në vijim fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani e mbajtur gjatë mbrëmjes së 16-të vjetore të NAAC.

“E nderuara Presidente Jahjaga!
Të nderuar Ministra!
Të nderuar zoti Shkreli dhe zoti Mustafa!
Të dashur miq, bashkëatdhetarë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj!

Është një kënaqësi e madhe për mua që të jem sot këtu me ju në këtë veprimtari të veçantë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Më lejoni të falenderoj drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për këtë veprimtari si dhe për kontributin që kjo organizatë ka dhënë për 16 vjet me veprimtarinë e saj për mbrojtjen, promovimin dhe çuarjen përpara të çështjeve shqiptare, për paqen, qëndrueshmërinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe në rajonin tonë.

100-vjetori i Pavarësisë është një çast i jashtëzakonshëm, madhështor dhe i veçantë për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që ata jetojnë, në rajon, në Evropë dhe anembanë botës, duke përfshirë edhe ju këtu në Amerikë, kudo ku shpalosen ngjyrat tona kombëtare. Është një çast solemn që na bashkon të gjithëve ne këtu sot kur koha më në fund na gjen në anën e duhur të historisë, në situatën më të mirë, në çastet më të përparuara dhe të zhvilluara që Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë njohur. Është një çast me peshën dhe rëndësinë e tij që na bën të ndihemi krenarë për mbijetesën dhe rezistencën tonë si dhe me pozicionin që Shqipëria mban sot e kësaj dite.

Me këtë rast, ne duhet të hedhim një vështrim në historinë tonë të ndërlikuar dhe plot dhimbje në mënyrë që të nderojmë e të respektojmë në radhë të parë të gjithë ata, të cilët luftuan dhe u sakrifikuan për të drejtat që ne gëzojmë sot, për të gjithë ata që u përpoqën me zemër e me shpirt, që vuajtën dhe u përndoqën, sepse kërkuan që vendi dhe populli i  tyre të ishte aty ku e meriton, pavarësisht vonesave. Dëshiroj të vë në pah në veçanti, kontributin e madh dhe përpjekjet e admirueshme si dhe ndihmesën bujare të dhënë nga bashkësia shqiptare në Amerikë, nga gjyshërit dhe baballarët tuaj, zemra e të cilëve, pavarësisht largësisë dhe monotonisë komuniste në atdhe për disa dekada, nuk pushoi kurrë së rrahuri me të njëjtin ritëm si ai i motrave dhe vëllezërve në vendlindje.

Të dashur miq!

100 vitet e shtetit modern shqiptar ishin të mbushura me ngjarje të ndryshme, me kohën e humbur dhe tragjikisht të shpërdoruar, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme mbi të gjithë ne. Në këtë dhjetë dekada, ne kemi dëgjuar edhe thirrjet e burrave vizionarë, të cilët me kurajë, mençuri dhe vendosmëri i dhanë jetë pavarësisë dhe fillimit të shtetit të ri, që ishte i kërcënuar qysh në lindje e tij. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli dhe të tjerë që në këtë dhimbje mbarëkombëtare dhe copëtim të kombit qysh nga lindja e tij – u bënë njerëzit e vendosur për të fuqizuar shtetin e së drejtës me njohurinë maksimale të mundshme të epokës së tyre dhe kontributi i të cilëve duhet analizuar pa emocion duke e vendosur atë nën dritën e fakteve të vërteta, të çliruar nga mashtrimet dhe propaganda.

Dëshiroj të falenderoj në veçanti, edhe në emër të popullit shqiptar, edhe njëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për kontributin e tyre vendimtar në shembjen e komunizmit dhe për kujdesin e veçantë me të cilin kanë shoqëruar fuqizimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri! Një lidhje e fortë shpirtërore mes dy vendeve tona, e cila nuk u shkëput kurrë edhe në kohën e regjimit komunist i është bashkangjitur këtij farkëtimi të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona dhe për të cilën ne ndihemi të lumtur dhe krenarë.

Të dashur miq!

Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar ndryshimin më të thellë të saj të dy mijë viteve të fundit. Deri tani, Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq e zhvilluar, kaq e përparuar, e sigurtë dhe duke dhënë garanci për të tashmen e për të ardhmen. Siç quhej dikur, vendi më i varfër i Evropës, më i mbylluri, më pak i njohuri dhe misteriozi, foleja e krimit të organizuar dhe simboli i një shteti të dobët, Shqipëria sot është një vend me rritje të qëndrueshme dhe të admirueshme ekonomike; një vend me të ardhura të mesme deri në të larta, me shifra krimi qartësisht poshtë mesatares së vendeve të kontinentit, është një vend anëtar i NATO-s, dhe unë shpresoj, që pas pak ditësh, do të jetë edhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sot, vendi i cili dikur njihej për shklejet më absurde të të drejtave të njeriut, që mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut, mban presidencën e radhës së Këshillit të Evropës, që është organizata ruajtëse e zbatimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Energjia e cila u krijua nga vendosja e lirisë dhe ekonomisë së lirë të tregut, mësimet që u nxorën nga gabimet e bërë dikur për shkak të mungesës së përvojës dhe nxitimit, politikat e duhura që përqendrohen tek individi e kanë vendosur Shqipërinë në hapësirën e zhvillimit, në listën e vendeve që tërheqin investime të huaja, në hartën e vendeve turistike, në grupin e vendeve që qeverisen nga shteti ligjor. E kanë shndërruar në një vend ku qytetarët vendosin nëpërmjet votës së lirë dhe ku debate politik zhvillohet në Parlament. Askush dhe asgjë nuk do të munden t’i zhbëjnë të gjitha këto dhe në këtë mënyrë kjo përbën edhe agjendën tonë për shekullin e ardhshëm.

Të dashur bashkëatdhetarë!

Në këtë përvjetor ne nuk gëzohemi vetëm për Shqipërinë. Liria dhe begatia janë vendosur në mënyrë të pakthyeshme edhe në mbarë territoret e banuara nga shqiptarët. Disa javë më parë unë isha në Kosovë në vizitën time të parë si President i Republikës dhe atje u gëzova nga përparimi i jashtëzakonshëm që ishte shënuar – e gjitha kjo në një periudhë prej vetëm disa vitesh. U ndoqën politika bindëse dhe rezultatet u arritën dhe Grupi Ndërkombëtar i dha fund disa ditë më parë, mbikëqyrjes ndërkombëtare duke shtuar hallkën e fundit kyçe të Kosovës së pavarur dhe sovrane në paqe dhe në harmoni me vendet e tjera të rajonit. Dëshiroj të rikujtoj angazhimin tim solemn të bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përgjatë mandatit tim presidencial: Kosova do të jetë përparësia kryesore e veprimtarisë sime në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nisma dhe forume dhe në mbështetje të rrugëtimit të saj integrues euro-atlantik.

Zonja dhe zotërinj!

Duke u gjetur në këtë mjedis të ngrohtë vëllazëror dhe i bindur që ne ndajmë të njëjtat ndjenja, jo vetëm sepse na bashkon e njëjta kombësi, por mbi të gjitha, për vlerat nëpërmjet të cilave shoqëria jonë përparon, dëshiroj t’ju inkurajoj ju për ta pasuruar praninë dhe veprimtarinë tuaj në këtë vend dhe komb të bekuar me qëllim që të arrini dimensionin e mundur të suksesit dhe begatisë për vete dhe familjet tuaja, por edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë. Roli, zëri dhe ndikimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë është i tillë dhe do të vazhdojë të jetë kyç përsa u përket zhvillimeve dhe politikave ndërkombëtare. Ky vend ka arritur gjithë këtë zhvillim në saje të lirisë dhe demokracisë, sepse e shndërroi në realitet ëndrrën amerikane për këdo dhe sepse ngrihet mbi barazinë shoqërore para ligjit. Ky është vendi që u ofron mundësitë të gjithë qytetarëve të tij.

Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj një bashkëatdhetar, zotin Mark Gjonaj, i cili para disa ditësh fitoi zgjedhjet paraprake në Partinë Demokratike duke hedhur kështu një hap vendimtar drejt zgjedhjes historike të një shqiptaro-amerikani në Asamblenë e Shtetit të Nju-Jorkut. Jam i sigurtë që suksesi i tij është edhe suksesi i bashkësisë shqiptare këtu dhe se mbështetja juaj ka qenë vendimtare për fitoren e programit të tij. Angazhime dhe përkushtime të tilla si ai i zotit Gjonaj dhe zotit Ken Biberaj, që po garon për t’u zgjedhur në Asamblenë e Qytetit të Nju-Jorkut, përbëjnë kontribute të vërteta dhe me shumë vlerë në mbrojtje dhe përfaqësim të interesave dhe vlerave të bashkësisë shqiptaro-amerikane.

Të dashur motra dhe vëllezër!

Në përfundim, më lejoni të uroj secilin prej jush në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shpreh bindjen time të palëkundur se zgjedhjet që ne kemi bërë, se rruga në të cilën po ecim, se marrëdhëniet që kemi ndërtuar me miqtë dhe partnerët tanë – të gjitha këto përbëjnë garancinë dhe sigurinë për të konsoliduar edhe më tej atë të cilën baballarët tanë guxuan të ëndërrojnë dhe të cilën na e lanë ne për ta përfunduar: një Shqipëri të lirë, të zhvilluar dhe të begatë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Ju falemnderit!’