Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me homologun bullgar, Plevneliev

16 janar 2014

Pas takimeve zyrtare, Presidenti Nishani dhe Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje (gazetari i Radios Kombëtare bullgare): Pyetje për Presidentin Nishani – Si e konsideroni ju rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian? Çfarë bën konkretisht Tirana për këtë rrugë?
Pyetja e dytë lidhet me marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë. Pozitën e Tiranës zyrtare.

Presidenti Nishani: Ju falenderoj për pyetjen tuaj! Siç e shpreha dhe në deklaratë; Projekti i integrimit evropian është projekti i vetëm strategjik që ka Shqipëria. Ne në Shqipëri nuk kemi alternativë konkurruese përveçse integrimit në BE. Natyrisht që është një proces që ka përpara sfidat e tij. Sfidat, në radhë të parë, i takojnë përgjegjshmërisë së Shqipërisë, shoqërisë shqiptare, institucioneve shqiptare për t’i përmbushur dhe për të arritur standardet që kërkohen sot në Bashkimit Evropian.
Ne shpresojmë dhe besojmë plotësisht që në qershorin e ardhshëm të ketë një vendim pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por natyrisht ai është vetëm një stacion sepse rruga e integrimit të plotë është një rrugë që ka shumë sfida përpara dhe Shqipëria dhe shqiptarët janë të angazhuar për t’i përmbushur të gjitha detyrimet dhe detyrat e tyre dhe t’i arrijnë ato standarde që unë përmenda pak më parë. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë, mbi të gjitha, një proces i merituar. Besoj se Shqipëria e meriton të vlerësohet për çka ka arritur deri më tash dhe duhet të inkurajohet për hapat e shumtë që ka përpara për të vijuar.

Përsa i takon zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; Shqipëria e ka përshëndetur, e ka mbështetur dhe i shikon me shumë pozitivitet zhvillimet e fundit, dialogun dhe marrëveshjet e arritura duke vlerësuar shumë angazhimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen që i ka dhënë në tërësi BE dhe SHBA këtij procesi.
Zhvillimi i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë është edhe rezultat i këtij bashkëpunimi, i këtij dialogu dhe i këtyre marrëveshjeve. Zhvillimet, dialogu dhe bashkëpunimi i vendosur, tashmë, midis Kosovës dhe Serbisë është një model për të treguar se problemet e së shkuarës lihen pas dhe shikohet gjithmonë tek e ardhmja.

Është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë në vendet e rajonit, që të gjitha vendet e Ballkanit të zhvillohen dhe të integrohen në NATO dhe BE.

Pyetje: (gazetarja nga Televizioni Publik bullgar) Pyetja iu drejtohet dy Presidentëve. Bullgarët dhe shqiptarët janë të njohur për marrëdhënie tradicionalisht të mira ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve. Të dy shtetet janë të njohura për tolerancën etnike dhe fetare. Pyetja është – Pse Shqipëria nuk ka njohur praninë e minoritetit bullgar në Shqipëri?

Presidenti Nishani: Ju falenderoj për pyetjen tuaj! Përsa u takon marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, janë marrëdhënie që gjatë 100 viteve kanë njohur miqësinë, bashkëpunimin dhe ndihmën për njëri-tjetrin. Në 100 vite marrëdhënie, ne nuk kemi pasur asnjë moment të problemeve midis dy vendeve tona, por vetëm bashkëpunim dhe miqësi. Jam i bindur që edhe 100 vitet e ardhshme do të njohin një zhvillim akoma më të madh të këtyre marrëdhënieve dhe të kësaj miqësie.

Përsa u takon çështjeve të respektimit ndaj të drejtave dhe lirive të pakicave dhe minoriteteve, Shqipëria është konsideruar edhe nga organizmat ndërkombëtarë, veçanërisht nga Këshilli i Evropës, si një vend me standarde mjaft të mira evropiane në respekt të këtyre pakicave. Para pak kohësh, në Shqipëri është organizuar një Census ku një ndër pyetjet ishte që, çdo qytetar i vendit të deklaronte me vullnet të tij përkatësinë fetare dhe kombëtare. Një Census, i cili u vlerësua shumë dhe nga Bashkimi Evropian. Shqipëria mbetet e angazhuar në respekt të plotë të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj dhe natyrisht dhe në kuadrin e pakicave, të gjitha ato që do të jenë evidente.

Presidenti Plevneliev: Shumë herë unë e kam shtruar pyetjen – Si keni arritur të bëni suksese kaq të mëdha si në asnjë vend tjetër të botës? Para 15 vjetësh në këtë rajon kishte spastrime etnike, kishte luftë, kishte probleme të shumta, siç ekzistojnë probleme të tilla në rajone të tjera të botës. Dhe ja, pas 15 vjetëve, këtu në rajonin tonë nuk ka gjëra të tilla. Ka vetëm paqe, stabilitet, mirëkuptim, miqësi. Kështu që, ne jemi kthyer në një shembull për rajonet e tjera të botës.

Për këtë fytyrë të re të rajonit tonë, kontribut të vetin kanë dhe Bullgaria dhe Shqipëria me kuptimin e tyre tolerant, me sjelljen e tyre kolektive ku mund të rrinë bashkë xhamia, sinagoga, kisha. Është një motor që bën të anëtarësohemi sa më shpejt drejt BE-së, sepse këto shfaqje të tolerancës çmohen shumë lart dhe ne do të vazhdojmë të respektojmë të drejtat e të gjithë pakicave kombëtare në territorin tonë.

Ne duhet të tregojmë ndërgjegje për të ruajtur në të ardhmen këtë model të komunikimit ndërmjet nesh, që është një shembull për të gjithë rajonet e botës.

Pyetje (gazetarja e Albanian Screen): Rezultate konkrete për vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar janë kërkuar prej kohësh nga BE. Kohët e fundit janë nën akuzë disa zyrtarë të lartë, por ata që policia i arreston, gjykata i liron. Sipas jush, ku çedon puna?
Dhe pyetja tjetër – Ministri i Drejtësisë prej kohësh e quan urgjente nevojën e riformatimit të KLD-së. Ndani dhe ju të njëjtin mendim?

Presidenti Nishani: Padyshim, lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet dhe duhet të jetë një prioritet për shtetin shqiptar, për shoqërinë shqiptare, për institucionet ligjzbatuese. Gjithçka duhet të zhvillohet në respekt të legjislacionit dhe ne respekt të shtetit të së drejtës. Rastet më të fundit janë raste, në dijeninë time, ende në hetim gjyqësor. Ndaj, unë besoj që është një detyrim dhe ligjor për gjithkënd që të presim vendimet e gjykatave për pafajësinë apo fajësinë e cilitdo që vihet në këtë raport me institucionet e drejtësisë.

Përsa i takon në sistemin e drejtësisë në tërësi, dhe veçanërisht juve iu adresuat KLD-së; Presidenti i Republikës mbetet i angazhuar të mbështesë çdo reformë nga qeveria dhe nga tërë institucionet dhe aktorët e tjerë të jetës publike në vend që lidhen me përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Ka mjaft vend për reforma, për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit, të hallkave të sistemit të drejtësisë, fokusuar kryesisht në transparencën, në efiçencën dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Çdo reformë që shkon në këtë drejtim është e domosdoshme, është jetike dhe do të ketë mbështetjen e Presidentit të Republikës.

Në çdo rast kur mund të tentohet apo të synohet marrja nën kontroll politik nga ana e sistemit të drejtësisë, kjo do të jetë e papranueshme pasi, në gjykimin tim, marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit.