Presidenti Nishani pret në takim Zv/ndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker

6 shtator 2012

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takoi sot Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, zotin Philip T. Reeker.

Presidenti Nishani pasi i uroi mirëseardhjen zotit Reeker vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë vendit tonë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian.

Presidenti Nishani e siguroi Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare, duke nënvizuar se bashkëpunimi i shkëlqyer i institucioneve tona me institucionet dhe agjencitë e SHBA-ve bazuar mbi përvojën e deritashme do të vijojë edhe në të ardhmen.

Kryetari i Shtetit e garantoi ambasadorin Reeker se Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe qasjen konstruktive ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zëvendësndihmës/Sekretari amerikan i Shtetit Reeker pasi e falenderoi Presidentin Nishani për fjalët e tij të ngrohta e siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin evropian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë.
Ambasadori Reeker vlerësoi lart qëndrimet e matura të Shqipërisë ndaj zhvillimeve rajonale dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të saj.

Presidenti Nishani dhe ambasadori Reeker shkëmbyen mendime në lidhje me pavarësinë e institucioneve demokratike dhe ndanë mendimin se respektimi i institucioneve të pavarura përbën bazën për funksionimin e shtetit ligjor.