Ols Lafe – Drejtor i Kabinetit

Ols Lafe lindi në Vlorë në vitin 1978, dhe përfundoi shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Në vitet 1997-2001 kreu me rezultate të larta Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, me fokus arkeologjinë. Gjatë vitit 2000 ndoqi një semester në Universitetin e East Anglia në Norwich (UK), eksperiencë e cila e nxiti të aplikonte për studime pasuniversitare jashtë vendit. Në vitin 2001 fitoi të drejtën të vijonte studimet në Universitetin e Cincinnatit, Ohio (USA) ku edhe përfundoi me sukses Masterin e Arteve në fushën Klasike. Aktualisht është doktorant në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore.

Për më shumë se 3 vjet ka punuar si kërkues shkencor në Institutin e Arkeologjisë, Akademia e Shkencave në Tiranë, duke marrë pjesë në projekte kërkimore dhe gërmimi në shumë zona arkeologjike të vendit. E vijoi karrierën e tij në Korrik 2007 si Përgjegjës i Sektorit të Koordinimit të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku do të caktohej pas një viti të kryesonte Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore deri në Mars 2013, kur filloi të punonte si Këshilltar i Presidentit të Republikës për Trashëgiminë Kulturore, detyrë të cilën e kreu deri në Janar 2015.

Karriera e tij akademike përfshin më shumë se 10 vjet mësimdhënie në universitete publike dhe private për çështje të arkeologjisë, trashëgimisë kulturore dhe turizmit, botime në fushën e arkeologjisë dhe prezantime e leksione në universitete, konferenca shkencore e forume brenda dhe jashtë vendit.

Z. Lafe është qytetar nderi i qytetit të Pensacola-s në Florida (USA), diplomant i sesionit të 7-të të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen (2015) të Akademisë së Forcave të Armatosura, anëtar i ICOMOS (International Council on Monuments and Sites) si dhe është vlerësuar me bursa, çmime e çertifikata nga Departamenti i Shtetit (USA), Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, National Endowment for the Humanities, National Science Foundation, UNESCO, USAID, Këshilli i Europës.