Deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me rastin e ndarjes nga jeta të Nelson Mandelës

6 dhjetor 2013

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani lëshoi deklaratën e mëposhtme për ndarjen nga jeta të Nelson Mandelës, ish-Presidentit të Republikës së Afrikës së Jugut:

“U hidhërova pa masë, kur mësova lajmin se Nelson Mandela ndërroi jetë. Me këtë humbje, njerëzimi i jep lamtumirën njërit prej udhëheqësve më të shquar moralë dhe ikonës së qëndrueshmërisë dhe luftës për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Zoti Mandela nuk u gjunjëzua në betejën  e Tij kundër aparteidit as nga 27 vjet heqje lirie.

“Vitet e gjata të vuajtjes nuk e ligështuan Mandelën dhe nuk e vranë shpirtin e Tij. Përkundrazi, e mbushën me dëshirë për pajtim dhe mirëkuptim mes njerëzve. Ai dhe ëndrra e Tij dolën fitimtarë. Largpamësia dhe zemërgjerësia e tij e shpëtuan popullin Jugafrikan nga vuajtjet dhe mundimet.

“Nelson Mandela, me vrapimin e Tij të pandalshëm drejt lirisë, i ka lënë njerëzimit si trashëgimi me vlerë të pamasë dhe të përjetshme, modelin e transformimit të epokës dhe jetës me mirësi dhe urtësi.

“Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet tona të thella bashkëshortes Graça Machel, të gjithë familjes dhe popullit të Afrikës së Jugut. Ne shqiptarët i bashkohemi popullit jugafrikan dhe mbarë botës në këtë hidhërim”.