Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim pune Raporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, zotin Nikolaos Chountis, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të përgatitjes së një raporti për integrimin evropian, që do t’i paraprijë një rezolute, që PE-ja pritet të miratojë për
Shqipërinë.
Në fillim të fjalës së tij, zoti Chountis përshëndeti emërimin në detyrë dhe uroi Kreun e Shtetit për suksese në detyrën e re. Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se ky proces mbetet thelbësor për vendin tonë.
Kryetari i Shtetit duke vlerësuar ligjet dhe reformat kryesore të arritura me konsensus vuri në dukje se në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve janë shënuar hapa shumë të rëndësishëm pozitivë në përmbushjen e detyrimeve dhe realizimin e standardeve të kërkuara.
Presidenti i Republikës e siguroi eurodeputetin Chountis se institucionet dhe shoqëria shqiptare janë të angazhuara maksimalisht për përmbushjen në kohë të prioriteteve kyçe dhe në këtë kuadër theksoi se strukturat shtetërore dhe shoqëria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë, ndihma e të cilëve vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme.
Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe se ky vlerësim duhet të bazohet në meritë. Dhënia e statusit, shtoi më tej Presidenti, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e standarteve për zbatimin e ligjit nga ana e institucioneve shqiptare dhe shoqëria shqiptare në tërësi.
Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis pasi vlerësoi shpjegimet e hapura të Presidentit Nishani u shpreh se ka konstatuar hapa seriozë sa i përket realizimit jo vetëm të kritereve, por edhe standardeve të kërkuara. Europarlamentari Chountis e garantoi Presidentin e Republikës se do të vazhdojë të luajë rolin e tij inkurajues në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.











