Presidenti Nishani nderon shkrimtarin Teodor Keko (pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

 5 shtator 2012

Presidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, shkrimtarin, publicistin dhe personalitetin e shquar në jetën publike, shoqërore dhe politike shqiptare, Teodor Keko (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke promovuar në kulturën kombëtare, risi dhe vlera autentike shpirtërore dhe intelektuale”.

Kryetari i Shtetit në fjalën e Tij vlerësoi kontributin e lartë të Teodor Kekos në letërsi dhe oratorinë e tij, duke u shprehur ndërmjet të tjerash se “Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lerë asgjë si shenjë e ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë”.

Në ceremoninë zyrtare, që përkoi me dhjetëvjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur ishin të pranishëm familjarë të shkrimtarit dhe publicistit Keko, Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku dhe përfaqësues të MTKRS-së, shkrimtarë, publicistë dhe miq.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh:

“Të nderuar familjarë të Teodorit,
Zonja Zëvendësministre,
Miq të tij, bashkëpunëtorë,
Të nderuar të ftuar!

Për mua është kënaqësi që më jepet mundësia që të jem pjesë e kujtimit dhe e vlerësimit të shkrimtarit, poetit, por edhe të kontributorit të madh të konsolidimit të vlerave të demokracisë shqiptare, Teodor Kekos.

Janë dhjetë vjet pa praninë e Teodorit, por që në këtë periudhë shumë gjëra na kanë lidhur ne dhe të gjithë qytetarët me emrin e Teodor Kekos. Sot është një rrugë në Tiranë me emrin e Teodor Kekos. Në libraritë e Tiranës botohen dhe ribotohen veprat e Kekos. Ka një çmim gazetarie, që jepet sot, me emrin e Teodor Kekos. Vetë Teodori ia ka bërë shumë të lehtë të gjithë atyre që e njihnin, por edhe të gjithë publikut shqiptar kujtesën për të në formën, kohën dhe mënyrën e duhur përmes veprës që ai la trashëgim. Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lerë asgjë si shenjë e ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë. Sot ai është ‘Mjeshtër i Madh’, por vepra, letërsia, poezia, proza, kontributi, oratoria e Teodor Kekos do të jenë gjithmonë një pikë referimi e lirisë, por edhe mënyrës për të kontribuar përmes kulturës në konsolidimin e demokracisë.

Sot unë jam i kënaqur dhe i nderuar që të ofroj titullin e madh për Teodor Kekon, duke nënvizuar edhe një herë faktin që jetoi pak, por la shumë. Kam nderin që këtë dekoratë ta ofroj në praninë e familjarëve të tij, të miqve, bashkëpunëtorëve, por edhe në nderim të të gjithë publikut shqiptar, sepse nderojmë vlerat për të cilat ka sot nevojë më shumë se kurrë Shqipëria, por edhe kombi shqiptar. Falemnderit!”

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Këshilltari Ligjor i Presidentit të Republikës, Arben Idrizi dhe dorëzimit të Urdhrit të lartë dhe dekretit presidencial në emër të familjarëve të të ndjerit Keko përshëndeti bashkëshortja, Xhulieta Keko, e cila, tepër e emocionuar, shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Presidentit të Republikës për këtë vlerësim që i bën veprimtarisë, përkushtimit dhe personalitetit profesional të Teodor Kekos.