Gjergj Lezhja – Këshilltar i Presidentit të Republikës për Çështje të Sigurisë Kombëtare

Gjergj Lezhja, lindur më 14.10.1957, ushtron funksionin  Këshilltar i Presidentit të Republikës për Çështje të Sigurisë Kombëtare që prej datës 16 shtator 2013. Nga viti 2007 deri në shtator të vitit 2013, ai ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshem të Këshillit të Ministrave.

Z. Lezhja ka përvojë të gjatë profesionale dhe ka ushtruar një sërë detyrash të rëndësishme, si në periudhën 2005-2007, ai ka ushtruar detyrën e zëvëndësministrit të Brendshëm. Gjatë viteve 1997-2005 ka qënë me detyrë Shef i Personelit dhe Organizimit pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij Z. Lezhja ka ushtruar dhe funksione të tjera në poste drejtuese, si p.sh:

Drejtor i Shërbimit Informativ të Rendit, në Ministrinë e Rendit Publik, me gradë “Gjeneral Brigade”, në vitet 1993-1996: Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Financiare, Tiranë, në vitet 1994-1995: Kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar, Durrës, në vitet 1992-1993: Shef i Zyrës së Privatizimit, pranë Komitetit Pluralist, Durrës, në vitet 1991-1992: Shef i Kontrollit të Cilësisë, ORMN, Durrës, në vitet 1987-1991: Kontrollor cilësie në repartin mekanik, Durrës, në vitet 1986-1987.

Z. Lezhja gjatë viteve 1970-1974, ka kryer arsimin e mesëm në gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Durrës, dhe ka kryer Studimet e Larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit të Tiranës, dega transport, gjatë periudhës 1981-1986. Gjithashtu Z.Lezhja ka kryer kurse specializimi në Shërbimin Civil. Itali SISDE, në vitin 1993.