Vizitë në Fshatin SOS në Kosovë

30 gusht 2012, Prishtinë

Në kuadër të vizitës shtetërore në Kosovë me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani vizitoi Fshatin SOS ku u takua dhe bisedoi përzemërsisht me fëmijët, që jetojnë e shkollohen atje si dhe me edukatoret dhe mësueset e tyre.

Në një çast domethënës përkujdesje, Zonja e Parë, duke u interesuar për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të Fshatit SOS, u dhuroi atyre libra me përralla, atlase për fëmijët e arsimit fillor dhe tetëvjeçar, libra që zgjuan kërshërinë e tyre dhe etjen për dije.

Fëmijët i shprehën mirënjohjen e tyre Zonjës së Parë të Shqipërisë për vizitën dhe takimin e përzemërt me ta.

Fshati SOS “SOS Children’s Villages” e nisi punën e tij duke ndihmuar fëmijët e shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur nga vendlindja gjatë konfliktit të vitit 1999.

Pas kthimit të shqiptarëve në Kosovë, Fshati SOS vendosi t’u japë ndihmë të shumëanshme sociale dhe psikologjike familjeve kosovare dhe fëmijëve të tyre, të cilët ndodheshin në një gjendje të vështirë.